Me rritjen e temperaturave, urgjenca e Elbasanit përballet çdo ditë me raste të pickimeve nga insektet dhe gjarpërinjtë.
![]() |
Ergys Miçi, Director of the Elbasan Emergency Department, informing a local journalist about the situation |
Në urgjencën e Spitalit Rajonal në Elbasan, paraqiten çdo ditë 5 deri në 10 persona të pickuar, jo vetëm nga gjarpërinjtë, por edhe nga insekte të tjera. Mjekët këshillojnë që personat që pickohen nga një insekt të tregojnë kujdes që në momentet e para dhe të marrin ndihmën e parë, pasi nëse situata lihet pas dore, gjendja mund të agravojë dhe të bëhet tejet e rëndë.
“Në këtë periudhë kohe kemi rritje të rasteve me pickime nga insekte të ndryshme. Ajo që vëmë re tek rastet që paraqiten në urgjencë janë pickimet nga bletët, por duke qenë se kemi raste edhe nga fshatrat, kemi edhe pickime nga gjarpërinj të ndryshëm. Ne kemi pasur raste – edhe dje kemi pasur një rast shumë të rëndë – i cili ishte ripickim nga bletët, dhe këta persona kalojnë deri në ‘shok anafilaktik’. Shoku anafilaktik çfarë është? Do të thotë që personi mund të humbasë edhe jetën, pasi agravon situata. Kemi bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, vështirësi në këto rrugë, dhe nëse nuk jepet ndihma e parë, mund të kemi edhe humbjen e jetës”, tha Ergys Miçi, Drejtor i Urgjencës Elbasan.
Për shkak të thatësirës, përqendrimi i helmit, si tek gjarpërinjtë ashtu edhe tek merimangat, është më i lartë dhe rrjedhimisht edhe më i rrezikshëm për njerëzit. Për këtë arsye, ndihma e parë duhet marrë menjëherë.
“Ne kemi disa raste me pickime nga insekte të ndryshme , mund të kemi 10, mund të kemi 5 raste , por ajo që është më e rëndësishmja është që pacienti duhet ta vlerësojë situatën. Në çdo bashki, në çdo qendër ka ndihmë të parë. Ajo që unë këshilloj gjithmonë pacientët është të kenë kujdes dhe të paraqiten në kohën e duhur. Sepse ka pasur raste më herët që kanë ardhur vonë dhe pacienti ka humbur jetën”, shtoi më tej Miçi.
Nëse për mushkonjat bëhet procesi i dezinsektimit, për gjarpërinjtë nuk lejohet përdorimi i kimikateve, me qëllim që të mos dëmtohet fauna dhe ekosistemi.